Në seancën e parafundit para zgjedhjeve europarlamentare të Qershorit, Parlamenti Europian miratoi planin prej 6 miliardë eurosh, që Bashkimi Europian do të akordojë për rritjen ekonomike të Ballkanit Perëndimor deri në 2027-n.
Plani u mbështet nga 517 eurodeputetë, u kundërshtua nga 56, ndërsa u abstenua nga 30 të tjerë. Në rezolutën e hartuar nga eurodeputetët socialdemokratë kroatë Toino Picula dhe Karlo Resler renditen një varg kriteresh jo edhe aq të lehta për t’u përmbushur.
Ndër të tjera kërkohet përparim në përpjekjet për sundimin e ligjit, respektimin e parimeve të demokracisë, reformat institucionale dhe ndërmarrjen e hapave të domosdoshëm për të garantuar se mjetet nuk do të keqpërdoren. Nga të gjitha vendet e rajonit kërkohet t’i përshtatin politikat e tyre të jashtme me vendimet e BE-së, përfshirë edhe me sanksionet kundër Rusisë. Kosova dhe Serbia kanë përparimin në procesin e dialogut të normalizimit të marrëdhënieve si kriter të veçantë.
Nga shuma 6 miliardë euro që do të jepet brenda periudhës mes viteve 2024-2027, vendet e Ballkanit Perëndimor do të marrin fillimisht 2 miliardë euro në formën e parave të gatshme pa kthim, ndërsa 4 miliardë euro në formën e kredive të favorshme.
Tv Klan