Eurodeputetët janë larguar të zhgënjyer nga Tirana pas dështimit në arritjen e konsensusit mes socialistëve. Kryetari Marco Tarquinio ka një këshillë për ta.

Marco Tarquinio: Duhet një dialektikë politike mes mazhorancës dhe opozitës shqiptare për të qenë në nivelin e qytetërimit të shoqërisë shqiptare. Ky është një vend ku bashkëjetojnë kultura të ndryshme, qytetarë të përkatësive të ndryshme fetare me një nivel të jashtëzakonshëm mirëkuptimi mes tyre. Është e nevojshme që kjo të ndodhë edhe në nivel politik për të vazhduar në rrugën e reformave të integrimit. Viti 2030 do të varet nga ritmi i reformave dhe rezultatet, veçanërisht në shtetin ligjor.

Tarquinio thekson se ata nuk janë arbitër mes palëve.

Marco  Tarquinio: Mendoj se mazhoranca dhe opozita kanë të njëjtën përgjegjësi për të ardhmen e vendit. Ata duhet që të ushtrojnë rolet që kanë në jetën politike, duke respektuar pushtetet e tjera. Të kuptojnë se Europa këtu nuk është në rolin e arbitrit, por të një partneri në bashkëpunim.

Kërkon që të vijojë ndëshkimi i abuzuesve me pushtetin.

Marco Tarquinio: Jam europianist, por edhe italian. Nga përvoja jonë e di që ndonjëherë drejtësia nuk i toleron as ata që kanë pushtet. Nëse vijon kështu, është në interesin më të mirë të qytetarëve. Si kryetar i delegacionit ndërparlamentar, dua që të vijojë respekti për ndarjen e pushteteve dhe të ndëshkohen të gjithë ata që kanë abuzuar ose abuzojnë me pushtetin.

Tarquinio tha se me kryeministrin Rama kishin patur një përshëndetje joformale në takimin jozyrtar në hotel.

Klan News