Prej 8 vitesh në Kinë, Eranda Allmetaj ka treguar si e ka marrë vendimin për t’u larguar nga Shqipëria. Në një lidhje për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Allmetaj thotë se është shumë e lidhur me Shqipërinë dhe arsyeja e vetme pse është larguar kanë qenë studimet për doktoraturë.

“Jam nga Tirana dhe prej 8 vitesh jetoj në Kinë. Arsyeja pse jam nisur drejt Kinës ka qenë fillimisht për studime për kërkime shkencore në fushën e Letërsisë për doktoraturë. Kjo ishte e vetmja arsye për të ikur nga Shqipëria. Transferimi ishte jashtëzakonisht i vështirë ngaqë dhe unë nuk kam dashur të largohem nga Shqipëria. Kam qenë e detyruar nga rrethanat e kohës sepse në atë vit ishin mbyllur doktoraturat. Ishte një zgjedhje e detyruar në një farë mënyre.”

Allmetaj është pedagode pranë katedrës së Gjuhës Shqipe në Pekin dhe gjithashtu studiuese pranë kësaj katedre.

“Jam eksperte e huaj në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit, jam pedagoge pranë Katedrës së Gjuhës Shqipe në Pekin dhe gjithashtu studiuese pranë kësaj Katedre. Krahas Katedrës, ku kemi mësdhënien e Gjuhës Shqipe, po ashtu është hapur dhe qendra e studimeve shqiptare ku merremi me studime të ndryshme në lidhje me Gjuhën Shqipe me kulturën shqiptare apo me aspekte të tjera.”

Por a ka profesorë ose pedagogë të tjerë në katedrën e Gjuhës Shqipe apo Allmetaj është e vetmja shqiptare?

“Unë jam e vetmja shqiptare në katedër, por janë edhe 4 profesoresha kineze që japin Gjuhën Shqipe këtu në Kinë. E dinë gjuhën shumë mirë.”

Pavarësisht se vazhdon karrierën në Kinë, Eranda nuk i ka shkëputur lidhjet me Shqipërinë ku vjen 4 muaj të vitit.

“Gjithë eksperienca në Kinë ka qenë e çuditshme. Kur nisem në Kinë nuk ka asnjëherë që të mos lotoj, por është një eksperiencë e bukur dhe e vlefshme. Kthehem 2 herë në vit në Shqipëri, 2 muaj në dimër dhe 2 muaj në verë.”

Për Erandën, gjëja që e bezdis më shumë në Shqipëri është mungesa e meritokracisë, për të cilën thotë se bën shumë persona ta mendojnë jetën larg atdheut.

“Mungesa e meritokracisë, po e lidh gjithmonë me profesionin. Mungesa e kësaj gjëje na shtyn të mendojmë përtej Shqipërisë. Këtu gjithmonë të jepet mundësia për të bërë diçka.”

/tvklan.al