Në një kohë që PD është vendosur në kërkesën e saj për ngritjen e një qeverie teknike para zgjedhjeve, PS nuk e shikon si një opsion të mundshëm. Nga Korça, drejtuesi politik i PS për këtë qark njëherësh dhe kryetari i Grupit Parlamentar tha se protesta është e drejta e opozitës, por thekson se nuk ka arsye që të ngrihet një qeveri teknike.
Niko Peleshi, kryetar i Grupit Parlamentar të PS: Fakti që opozita po ngrihet në një protestë është e drejta e tyre, është zgjedhja e tyre. Kërkesat politike ata mund t’i formulojnë sipas orekseve politike të veta, por unë nuk shikoj ndonjë arsye që të vihet në diskutim qeveria.
Edhe pse së bashku me deputetët e tjerë të PS ditën e enjte u përplasën me deputetët e PD në Kuvend të përjashtuar nga Sekretariati i Etikës, Peleshi thotë se PS kërkon një jetë parlamentare normale dhe pa akte dhune.
Niko Peleshi, kryetar i Grupit Parlamentar të PS: Ajo që ndodhi unë nuk dua që t’i përsëris, ishin të paprecedenta. Ne nuk mund të kemi dhunë në Parlament dhe ta kalojmë atë nga një krizë ndërpartiake tek tjetra.
Kryetari i Grupit Parlamentar ka porositur ligjvënësit socialistë që të shmangin përplasjet dhe retorikën e fortë me deputetët demokratë gjatë kohës së aksioneve në mënyrë që të mos ketë incidente.
Klan News