Prej 40 vitesh mbante një thesar të çmuar, por nuk e dinte

Kishte 40 vjet që e kishte gjetur në garazhin e shtëpisë dhe vetëm tani zbuloi se në fakt unaza e rrallë prej floriri ishte një thesar i periudhës së Mesjetës, me vlerë rreth 10 mijë paund.

Tom Clark, 81-vjeç, e gjeti unazën në vitin 1979, teksa po gërmonte tokën jashtë shtëpisë në Aylesbury, Buckinghamshire.

Pa e kuptuar vlerën e vërtetë, ai e vendosi unazën brenda një kanaçeje metalike dhe e la brenda garazhit, ku qëndroi e harruan për dekada me radhë. Clark e rigjeti unazën rastësisht, teksa po pastronte garazhin e së ëmës pas vdekjes së saj.

Këtë herë vendosi që të pyeste për vlerën e saj dhe u trondit kur zbuloi se bëhej fjalë për një artifakt mesjetar 670 vjeçar, që datonte në vitin 1350.

Unaza e shekullit të 14-të mban një mbishkrim në latinisht dhe ka të një imazh të gdhendur në të.

Ajo do të jetë pjesë e një ankandi më 27 Gusht, me një vlerë nga 8,500 deri në 10,000 paund.

I cituar nga e përditshmja britanike The Independent, vetë 81-vjeçari tha: “E kisha harruar plotësisht. Në atë kohë nuk e kisha kuptuar që unaza mund të kishte diçka të veçantë. Ishte pis dhe e deformuar kur e nxora nga toka. E çova në një muze sëbashku me disa unaza të tjera që kisha gjetur gjatë asaj periudhe. Kur u riktheva pas një javë, më thanë që unazat ishin thuajse të gjitha moderne dhe mi kthyen mbrapsht”.

“Kështu i vendosa të gjitha në një kanaçe dhe i lashë në garazhin e shtëpisë së nënës time, ku jetoja në atë kohë. Në atë kohë isha në të 30-at e mia”.

“Disa muaj më parë po nxirrja disa gjëra nga garazhi im, që kishin ardhur nga shtëpia e nënës time dhe aty ndodhej edhe kanaçja me unazat”.

Si një njëri që prej 50 vitesh ishte marrë me gjetjen e sendeve metalike, kur e pa këtë herë unazën, kuptoi menjëherë që nuk ishte pa vlerë.

“E çova tek muzeu lokal dhe tashmë gjetja është regjistruar. Duhet të ketë qenë e dikujt me rëndësi për shkak të dekorimit dhe cilësisë”.

“Imazhi në këtë unazë i përket Zotit Mars, i cili mban një shtizë dhe një trofe. Unaza është e rrallë dhe elegante. Do doja shumë të dija kujt i përkiste”, tha më tej 81-vjeçari.

Ndërsa eksperti Mark Becher tregoi se unaza ka një mbishkrim në latinisht, NVNCIE.VERA.TEGO, që mund të përkthehet “Unë fsheh mesazhin e vërtetë”./tvklan.al