Si asnjëherë tjetër, “Arrëthyesi” doli nga kornizat e përhershme të baletit, për t’u ngjitur në sallën e Universitetit të Arteve si teatër.
Falë Monika Lubonjës, drejtores së Qendrës Kombëtare Kulturore për Fëmijë, regjisores Andia Xhunga dhe skenaristes Rovena Rrozhani, një nga përrallat më të bukura të Krishtlindjes, e shkruar nga Ernst Hoffmann, për herë të parë u interpretua nga fëmijët.
“Arrëthyesi” është historia e Klarës, një vajze të bukur që xhaxhai misterioz i dhuron për Krishtlindje një arrëthyes prej druri. Atë natë ajo përjeton në ëndërr betejën e lodrës së saj më një ushtri minjsh dhe shndërrimin e arrëthyesit në një princ të bukur.
Produksioni ishte i gjithi premierë, që nga pjesët e baletit, me koreografi të Blerina Arbanës, realizimit muzikor të Sajmir Çilit dhe kostumeve të realizuara mjeshtërish nga Elva Bella, që i dhanë gjithë magjinë shfaqjes.
Dhurata për Krishtlindje nga Ministria e Kulturës ishte jo vetëm mbështetja për shfaqjen, por edhe një çertifikatë mirënjohje, për secilin interpretues.
Fëmijët e Qendrës Kombëtare Kulturore ju mirëpresin edhe sonte, me “Arrëthyesin”, në sallën e Universitetit të Arteve.
Tv Klan