Mbi 705 të dënuar për krime të ndryshme kanë lënë qelitë e burgut dhe shlyejnë dënimin në liri, duke përfituar nga dënimet alternative.
Shërbimi i provës është një strukturë që ngrihet për herë të parë në Shqipëri. Ai shërben për mbikëqyrjen dhe zbatimin e dënimeve alternative për ata që kryejnë vepra penale.
Hyrja në fuqi e këtij ligji është vjeshta e vitit 2009 dhe brenda pak muajsh numri i të dënuarve që përfituan nga ky shërbim arriti në 705 të dënuar.
Arben Sefgjini: “Gjithsej kemi rreth 35 persona që janë aktualisht duke realizuar detyrimet e tyre në punën me interes publik dhe të gjithë ose shumica e personave të tjerë që janë nën mbikëqyrje nga shërbimi i provës janë të punësuar”.
Sot shërbimi i provës ka zyrat e saj fare pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe gjykatës së rrethit Tiranë.
Drejtori i këtij shërbimi, Arben Sefgjini, deklaron se stafi i tij ka hartuar një draft-rregullore, e cila është udhërrëfyesja e kësaj zyre me udhëzimet përkatëse.
Me anë të këtij shërbimi pritet që në burgje të ulet ndjeshëm mbipopullimi, ndërkohë që do të jetë i madh numri i përfituesve duke shmangur në këtë mënyrë burgun.
Sigurisht që ligji ka parashikuar dhe kur personat e dënuar me vendime alternative mund të thyejnë detyrimet e vëna nga gjykata duke e përcaktuar qartë sesi do të veprohet në këto raste.
Arben Sefgjini: “Deri në këtë periudhë që flasim vetëm pesë persona janë që kanë shkelur detyrimet e përcaktuara nga gjykata apo nga programi i trajtimit në marrëveshje me shërbimin e provës edhe shërbimi i provës në këtë rast i është drejtuar prokurorisë me propozime konkrete për revokimin e vendimit apo për ndryshimin e masave detyruese ndaj këtij personi”.
Robert Luzi u dënua nga Gjykata e Tiranës me dy vjet burg për akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë së tjetrit, një ngjarje e cila i kushtoi shumë largimin nga detyra dhe lënien e studimeve.
Sot ai është një i dënuar i cili ka përfituar nga shërbimi i provës, është i punësuar në një subjekt privat dhe vazhdon studimet e larta.
“Probleme kështu me punën, me shefat e kështu nuk ka pasur?”
Robert Luzi: “Jo, jo kemi shkuar shumë mirë, dmth nga ana e të dy palëve edhe unë duke qenë pak sa më shumë korrekt punës, dmth, por dhe puna më ka mbështetur për iniciativat që unë kam pasur e deri tani,dmth, kemi shkuar shumë mirë.”
Gazetarja: “Do kishit një mesazh për ata persona që sot nuk e kanë shërbimin e provës? Nuk e kanë përfituar ende për disa arsye. Kush do të jetë mesazhi që ju…”.
Robert Luzi: “Më vjen shumë keq për ata që e vuajnë dënimin në atë farë mënyre, por uroj që në qoftë se do ketë dhe për ato që ta vuajnë dënimin në një farë mënyre të ndryshme siç po e vuaj dhe unë sot do ishte mirë që dhe ato të punonin, të tregonin veten që dinë të bëjnë shumë gjëra të mira, të dinë të integrohen shumë më mirë me shoqërinë”./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani