Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në sesionin e parë të “Tirana Diplo 2024” se Shqipëria do punojë me përzgjedhjen e ambasadorëve në shtete të ndryshme. Ai përmendi disa nga vendet e Lindjes, Afrikën e po ashtu Indonezinë e Filipinet si ‘potencial’ për të siguruar krah pune.


“Do çelim dyert e ambasadës në Bosnje-Hercegovinë. Na duhet të fuqizojmë sa të mundemi çdo energji që e bën rajonin më bashkëpunues e paqësor, më të ndjeshëm ndaj të ardhmes e më pak të ndjeshëm ndaj të shkuarës. Emiratet e Bashkuara, Arabinë Saudite me Azerbajxhanin, që janë 3 vende që ushqejnë ndjenja miqësore dhe kanë interes për të forcuar marrëdhëniet me ne dhe patjetër me Kuvajtin që është një mik nga kohë më të vjetra për shkaqe historike që i dini. Me Katarin po ashtu…

Kemi arsye të qenësishme për të besuar dhe për të investuar në hapjen e dyerve të misioneve tona të reja qoftë në Indonezi për të mbuluar gjithë atë pellg atje. Kemi vendosur një marrëdhënie me potencial të madh. Po ashtu me Filipinet, pasi gjithë vendet e BE po trokasin në ato dyer për vende të reja pune. Radha është e gjatë, por duke qenë një vend i vogël, nëse do përcaktojmë mirë raportet, besoj që do të bëjmë kapërcime të radhës.

Po ashtu në Afrikë jemi krejtësisht të munguar dhe unë besoj që është e drejtë të hapim derën e parë në Kenia. Na duhet për shumë arsye, por edhe në mos për të tjera, për një arsye të thjeshtë fare që është dhe detyra që ne kemi dhe roli që ne kemi për të mbështetur formësimin përfundimtar të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës”, tha kryeministri gjatë konferencës./tvklan.al