Dy kandidatët për postin e zëvendës presidentit Sara Palin dhe Joe Biden u përballën me njëri-tjetrin në debatin e parë dhe të vetëm para zgjedhjeve të 4 nëntorit.
Debati i shumë pritur u fokusua tek çështje si ekonomia, Iraku, politika e jashtme, taksat, energjia dhe ngrohja globale. Në fillim të debatit senatori Biden vlerësoi se kriza ekonomike është rezultat i politikave të ndjekura nga presidenti George Bush gjatë dy mandateve të tij. Të cilat i cilësoi si më të këqijat në historinë e SHBA.
Guvernatorja e Alaskës vuri theksin tek qeveria federale, që sipas saj nuk ka luajtur një rol të fortë për të shmangur krizën.
Senatori Biden tha se kandidati republikan për president John McCain nuk e njeh realitetin në terren. Dy javë më parë tha ai McCain deklaroi se bazat e ekonomisë amerikane janë të forta.
Por pavarësisht sulmeve të një pas njëshme të senatorit Biden, Palin iu referua kandidatit republikan si një individ maverik, një politikan madhështor dhe të zellshëm.
Ulja er taksave, sistemi shëndetësor, energjia dhe ngushtimi i divergjencave partiake në Uashington ishin të tjera çështje, për të cilën të dy rivalët debatuan me zell duke ofruar alternativën më të mirë për popullin amerikan.
Biden u emocionua kur kujtoi se sa e vështirë është të rrisësh fëmijë në një ekonomi në krizë. Dhe përcolli momentet kur humbi bashkëshorten dhe të bijën.
Iraku nuk mungoi në këtë debat, Palin vlerësoi se SHBA janë gjithnjë e më afër fitores në Irak dhe nuk duhet të humbasin në momentin e fundit.
Ndërsa senatori Biden, duke iu referuar një plani të Barack Obamës tha se demokratët do i japin fund luftës.
Por për guvernatorin Palin ky plan përbën flamurin e dorëzimit.
Në politikën e jashtme të dy kandidatët ranë dakord se një Iran i armatosur me armë bërthamore ishte i rrezikshëm. Por ishin të ndarë mbi planin diplomatik që duhej ndjekur në bisedimet me diktaturat në botë.
Biden mori si shembull një sërë konfliktesh si ato në Bosnje dhe Kosovë dhe vlerësoi se tani qeveritë demokratike atje po funksionojnë.
Debati u ndoq nga miliona teleshikues dhe u transmetua drejtpërdrejt edhe nga televizioni kombëtar Klan. Moderatorja Guen Aifel vlerësoi se thembra e Akilit për guvernatoren Sara Palin ishte mungesa e eksperiencës. Ndërsa për Joe Biden ishte mungesa e disiplinës.
Analistët e huaj vlerësuan se Sara Palin doli më mirë seç pritej, por sipas tyre ajo dukej sikur kishte memorizuar përgjigjet e pyetjeve. Për CNN dhe CBS debati i vetëm i kandidatëve për postin e zëvendës presidenti u fitua nga Joe Biden, i cili me sa duket tregoi se është zgjidhja e duhur për të qenë numri 2 në shtëpinë e Bardhë./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle