Një bashkëpunim i Autoritetit të Mediave Audiovizive me platformën TikTok, ka çuar në heqjen nga ky rrjet të videove të shumta abuzuese apo të piratuara dhe identifikimin e disa të tjerave.
Në një intervistë për Tv Klan, kryetarja e autoritetit te mediave audiovizive Armela Krasniqi, tregoi më shumë mbi rezultatet e bashkëpunimit dhe se cilat video janë në shënjestër.
“Në 5 ditë pune na kanë ardhur 85 ankesa, të cilat të gjitha u shqyrtuan dhe u analizuan. 85 ankesat sigurisht të gjitha nuk qëndronin, 23 video të fshira, bëhet fjalë për akte dhune, për gjuhë urrejtje për shkak të orientimit seksual, për urrejtje ndaj religjioneve fetare, për pamje të veprave penale, për ekspozim të fëmijës ndaj pornografisë, narkotikëve, alkoolit, duhanit apo vetë dhunës”, shprehet kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi.
Gjithashtu, në këtë platformë janë identifikuar edhe shumë raste të piraterisë.
“Videot e hequra nga platforma kanë qenë 112, ndërsa për shkak të këtyre videove të hequra janë mbyllur edhe 20 profile të cilat piratonin produktin audioviziv shqiptar”.
Por si nisi bashkëpunimi dhe si mund të bëhet ankesa?
“Ky bashkëpunim patjetër që synon të përmirësojë ambientin brenda platformës. Hapëm edhe një faqe brenda faqes zyrtare ama.gov.al, është një formular ku secili mund të adresojë përmes një linku dhe shqetësimin përkatës”.
Rastet e trajtuara tregojnë një reagim të shpejt të platformës së TikTok ndaj rasteve të paraqitura nga AMA si në shkelje me ligjet shqiptare.
Në muajin Shkurt nga zyrat e TikTok në Mynih, edhe Kryeministri Edi Rama i shprehu shqetësimin e tij zv/Drejtorit të Përgjithshëm të kompanisë për shpërndarjen e videove me përmbajtje dhune apo denigruese.
Tv Klan