Ish-futbollisti brazilian i Real Madridit dhe Milanit, Robinho, duket se do ta vuajë në Brazil dënimin e tij për përdhunimin e një vajzë shqiptare, ngjarje e ndodhur në Itali në vitin 2013. Presidenti i Brazilit, Lula Da Silva, mbështeti të hënën idenë që Robinho ta vuajë dënimin e tij në atdhe. Në një intervistë, ai i përshkroi krimet e ish-futbollistit 40-vjeçar si të pafalshme dhe se duhet të ishte që tani në burg.
“Të gjithë njerëzit që kryejnë krimin e përdhunimit duhet të burgosen. Një burrë që ka para, është i pasur, i famshëm, kryen përdhunime në grup dhe beson se nuk ka kryer një krim sepse ka qenë i dehur, është e turpshme”, u shpreh Presidenti brazilian.
Kujtojmë se Robinho u dënua në Itali me nëntë vite burg për përdhunimin e një vajze të re shqiptare (Lexo më shumë). Kjo ngjarje ndodhi në vitin 2013 në një klub nate në Milano, kur ai luante për kuqezinjtë e Milanit. Gjykata Supreme e Italisë konfirmoi në vitin 2022 dënimin duke lëshuar edhe një urdhër arresti ndërkombëtar për Robinho-n.
Por kjo vështirë se mund të realizohej pasi tashmë ish-ylli i Milanit jeton në Brazil dhe Kushtetuta e vendit ndalon ekstradimin e qytetarëve të saj. Aktualisht Robinho është edhe pa pasaportë, çka e ndalon që të dalë jashtë vendit. Javës tjetër, më 20 Mars, Gjykata Supreme e Brazilit do të vendosë nëse do të aprovojë dënimin e vendosur nga Italia dhe ta dërgojë Robinho-n në një burg në Brazil.
Përdhunimi ndodhi kur Robinho luante për Milanin. Ai e kreu këtë krim së bashku me pesë brazilianë të tjerë, teksa shqiptarja ishte pa ndjenja. Gjatë procesit gjyqësor, ajo pohoi se nuk e njihte futbollistin para asaj nate. Ajo tha se Robinho bashkë me shokët e tij e çuan në garderobën e një diskoteke duke abuzuar me të (Lexo më shumë).
Pas ngjarjes siç e cekëm dhe më lart, Italia kërkoi ekstradimin e Robinho-s. Por kur u pa që drejtësia braziliane nuk lejonte ekstradimin, atëherë vetë qeveria italiane kërkoi që ai ta vuajë dënimin me burg në Brazil (Lexo më shumë).
Kujtojmë se Robinho ka luajtur edhe për Real Madrid, Manchester City dhe mbi të gjitha me përfaqësuesen braziliane ku ka zhvilluar 100 paraqitje ndërkombëtare e duke shënuar 28 gola./tvklan.al