Producenti dhe moderatori i “Këngës Magjike”, Ardit Gjebrea ka zbuluar më shumë detaje rreth asaj që do të na rezervojë ky festival magjik. Në një lidhje direkte për edicionin e lajmeve në Tv Klan pak minuta para se të nisë nata e parë e festivalit, Gjebrea ka thënë se këngët që do të sjellin artistët pjesëmarrës do të pasurojnë muzikën shqiptare.
Pyetje: Çfarë do të ndodhë sonte? Risia që vjen në këtë edicion, por edhe surprizat në këtë natë gjysëmfinale?
Ardit Gjebrea: Shtëpia ka ndryshuar, është bërë më e bukur se kurrë. Ajo që mund të zbuloj është se për herë të parë do të futet në koncept inteligjenca artificiale në festivalet shqiptare. Besoj se do të jetë shumë interesante.
Pyetje: A është ky festival një festival që i takon larmishmërisë muzikore?
Ardit Gjebrea: Si këtë vit, asnjë vit më parë nuk ka pasur kaq shumë ngjyra. Artistët e rinj janë aq denjësisht përkrah artistëve big, sa të gjithë thonë “pse janë “artist të rinj”, por sigurisht që duhet një rrugëtim për të mbërritur në një kategori tjetër. Jam i i sigurtë që këngët e natës së sotme dhe nesër mbrëma do të jenë një buqetë fantastike dhe do të pasurojnë repertorin e muzikës shqiptare. Do të shihni që tani jemi në perfomanca që kanë kaluar në nivele europiane.
Pyetje: Si do të jetë formula që ata duhet të rrëmbejnë çmimin e madh?
Ardit Gjebrea: Votimi bëhet nga vetë artistët dhe vota e tyre vlen rreth 55%, më pas është i jurisë dhe i publikut që ka një peshë rreth 35%. Duke pasur një votim me 3 elementë që janë gjithëpërfshirës, asgjë nuk mbetet. Në bazë të këtij votimi, do të dalin dhe 20 këngët finaliste prej ku do të kemi pastaj dhe 3 çmimet e para dhe top 10-shen.
Pyetje: Janë 24 edicione, si ndihesh pas kaq shumë historie në këtë festival?
Ardit Gjebrea: Është një mision. I gjithë rrugëtimi im si artist ka sjellë atë të ju shërbej artistëve, është motivi për të cilin unë nuk lodhem, më çlodh kur shoh në sytë e artistëve mirënjohje dhe pastaj është e rëndësishme që të mos lejosh të ngjiten produksione që nuk e meritojnë sepse në fund të ditës është një shërbim që bën ndaj muzikës shqiptare.
/tvklan.al