Ngjarjet e kohëve të fundit, ku një efektiv i Gardës vrau gruan e tij, apo dyshimi se një efektiv policie në Gruemirë ka ngacmuar seksualisht një të mitur ka vënë në pikëpyetje testin psikologjik që ata kryejnë për t’u bërë pjesë e forcave të rendit. Sipas Sindikatës të Punonjësve të Policisë, rreth 70 % e efektivëve kanë mbistres në punën e tyre.
“Baza e një ndryshimi psikologjik të një punonjësi është gjendja social ekonomike, për të arritur pastaj në elemente të tjerë të depresionit duke filluar që nga dhuna ndaj fëmijës, grave edhe deri në vetëgjyqësi. 70 % e punonjësve janë në stres”.
Por drejtori i Akademisë së Sigurisë, Bilbil Mema, gjatë pyetjeve të opozitë në Komisionin e Sigurisë tha se ka vështirësi për të matur me saktësi gjendjen e çdo personi kandidat për polic.
“Ne bëjmë teste psikologjie, pasi është një nga testet për tu futur në polici, por ashtu sikurse psikologjia merret me gjendjen psikike të njeriut ka shumë vështirësi nga pikëpamja subjektive për të vlerësuar dhe matur saktë të dhënat e çdo individi”.
Për këtë arsye, Fishta thotë se është e domosdoshme prezenca e psikologut edhe gjatë ushtrimit të detyrës nga efektivët.
“Një psikolog kemi në Forcat Speciale, vetë ngjarjet që ndodhën tregojnë se psikologu duhet duhet të jetë në të gjitha strukturat për shkak të përgjegjësisë që ka sot një punonjës policie në realizimin e detyrës që ka, pasi është i armatosur. Pasi t’i japësh armën një personi të papërshtatshëm me shenja skizofrenie, është njësoj si të vrasësh”.
Interesimit të Televizionit Klan, Ministria e Brendshme thotë se kandidatët për policë kalojnë pranë një komisioni të veçantë vlerësimi, ku përveç testimit me shkrim e gojë, si dhe atij fizik, ata vlerësohen edhe në testimin psikologjik dhe nëse këtë të fundit nuk e kalojnë, ata skualifikohen. Por vetëm pak ditë më parë, 44-vjeçari Alket Arapaj, efektiv i Gardës së Republikës e vrau me armën e shërbimit bashkëshorten e tij.
Tv Klan