Një super produksion do të fillojë së shpejti në Televizionin Kombëtar Klan.
Spotet publicitare lajmërojnë se është çështje ditësh dhe show televiziv nën titullin “E diela shqiptare”, i pari i kësaj natyre në Shqipëri do të jetë pranë publikut shqiptar dhe në fakt ndjesia që të jep ambienti ku do të zhvillohet show televiziv është ai i një mini-televizioni, një studio gjigante krahasuar për nga lartësia me Pallatin e Kongreseve.
Në punë të plotë mes teknikëve dhe punëtorëve të studios është pothuaj e pamundur të mos gjesh dhe stafin kryesor realizues të këtij programi, tek asistojnë çdo moment të ngritjes së studios.
Prezantuesi i mirënjohur, Ardit Gjebrea, regjisori Aldon Lipe, skenografi Bashkim Zahaj, një staf i radiotelevizionit italian po asiston në gjithçka. I mirënjohuri, Franco Ferrari, mjeshtër ndriçimi, drejtor fotografie në Rai, është përzgjedhur si konsulent i këtij produksioni gjigant, një transferim i tij nga spektaklet italiane mes emrave të njohur si Pippo Baudo në terrenin shqiptar të spektaklit.
Franco Ferrari: “Duhet të them se jam shumë kurioz. Shoh studio në punë të plotë dhe më kujton edicionet që unë kam bërë në Itali. Kam patur rastin të bëj edicione me Koradon dhe me Pippo Baudon. Më duhet të them se këtu ndihet i njëjti interes sikurse kishim ne kur përgatisnim studiot me gjithçka ato kanë nevojë që sigurisht edhe në ato momente shoqëroheshin me pasiguri, por më duhet të them se gjithçka këtu rrjedh më lirshëm, si të them, tamam si një gjë që ka interesin e veçantë të të gjithëve. Vërtet shumë bukur. Gjithçka po krijohet në mënyrë profesionale kështu që besoj që do të jetë një prodhim shumë interesant, mbi të gjitha madhështor pasi studio është shumë e madhe dhe skenografia do të jetë shumë e bukur. Unë do të kem kënaqësinë të kem atë si debutimin tim në Shqipëri”.
Për këtë super produksion stafit prej të paktën 25 vetësh i është dashur të punojë për 1 vit e gjysmë, një garanci kjo e madhe për suksesin e këtij show televiziv.
Krahas skenografisë është parashikuar një ndriçim perfekt i studios. Stafi drejtues me modesti thotë se vetëm për këtë gjë si dhe pajisjet teknike të studios janë shpenzuar mbi 200 mijë euro.
Do të duhet të ishte gjithçka e tillë, perfekte për vetë përmasat e studios, për të cilat mjeshtri Ferrari konstatoi me kënaqësi se janë edhe më të mëdha sesa studiot e emisionit të njohur italian, “Domenica in”, por edhe për nga përmbajtja.
“E diela shqiptare” do të ofrojë spektakël, talk show, sport, balet, muzikë, ngjarje aktuale, lojëra dhe konkurse, intervista surprizë, elementë që do të garantojnë padyshim rekord audience në Shqipëri.
Në gjashtë orë transmetim sigurisht Gjebrea nuk do të jetë i vetëm, por drejtuesit e emisionit e kanë ruajtur me fanatizëm emrin e prezantueses krahas shumë surprizave të emisionit.
Në fakt është e vështirë të kuptosh se kush do të jetë bukuroshja, pasi Arditi në momente pune e gjen pak me të gjithë, por mos është kjo vajza e “Të dielës shqiptare”? Na ndiqni në 21 Shtator./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi