Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Në 90 vjetorin e Ditës Kombëtare të Drejtësisë, krerët e lartë të shtetit dhe politikës konstatojnë se ka ende shumë për të bërë. Në përkujtimin e kësaj dite të rëndësishme të historisë shqiptare, ku kanë marrë pjesë presidenti Alfred Moisiu, përfaqësues të qeverisë dhe parlamentit, kreu i opozitës Sali Berisha, si dhe drejtues të institucioneve kryesore të drejtësisë.

Presidenti Moisiu ka bërë thirrje, që raporti i fundit i BE me kritika të qarta, të analizohet me përgjegjësi dhe reflektim, nga të gjithë individët dhe drejtuesit e drejtësisë shqiptare, të cilët sipas presidentit duhet t’i dalin zot detyrave dhe të drejtave të tyre.

Presidenti Alfred Moisiu:- “Politika nuk duhet ta shohë drejtësinë, si alibi e krizave, apo si delja e zezë e shtetit shqiptar. Ndërmjet zbatimit rigoroz të Kushtetutës, ajo duhet të zhvillojë akoma më shumë parimin, e shndërrimit të drejtësisë në partnere serioze në qeverisjen dhe drejtimin e vendit dhe drejtësia nuk asnjë arsye më, që t’i ankohet më tej politikës, por duhet t’i dalë zot detyrave dhe të drejtave të veta që i sigurojnë ligji dhe Kushtetuta. Lufta dhe përpjekjet për reformën në drejtësi, mendoj se duhet të përsosen në tre drejtime kryesore, në legjislacion, në organizim dhe në rritjen e përgjegjshmërisë të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve që përbëjnë turpin e drejtësisë shqiptare”.

Ndërsa kryeministri shqiptar, i cili ka përshëndetur konferencën nëpërmjet Ministrit të Integrimit Sokol Nako, u ka bërë thirrje krerëve të institucioneve kryesore të drejtësisë, që të luftojnë korrupsionin.

Sokol Nako:- “Të gjithë ne presim më shumë veprim aktiv, më shumë prova në gjykim dhe për pasojë më shumë goditje ndaj krimit. Nuk mund të lejojmë më, që paaftësia apo mefshtësia, të shndërrohen në amnisti politike, apo korruptive për krimin dhe kriminelët”.

Edhe Prokurori i Përgjithshëm, si një nga hallkat kryesore të drejtësisë, ka vlerësuar punën e bërë, duke ftuar kolegët e tij, që së bashku me reformat të punohet dhe në konsolidimin e institucioneve të shtetit, për të qenë më efikas në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Dita Kombëtare e Drejtësisë është përshëndetur nga Parlamenti Shqiptar, përfaqësues të të cilit janë angazhuar se do të kontribuojnë ne realizimin me sukses të reformës në sistemin e drejtësisë. Konferenca është finalizuar me një rezolutë të përbashkët të tre institucioneve Ministrisë së Drejtësisë, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Gjykatës së Lartë./tvklan.al