Lajme Arkiva 2003

Fabrizio De Andre me muzikën dhe poezinë e tij është përkujtuar edhe në Tiranë në ambientet e lidhjs së shkrimtarëve. Kjo përkujtimore për kantautorin e njohur italian është zhvilluar në kuadër të stinës koncertore “Allegreto Albania” e organizuar nga Instituti Italian i Kulturës si dhe fondacioni “Fabrizio De Andre” me qendër në Itali.

Me këtë rast për homazhin që i është bërë figurës së Andre nga miqtë e tij shqiptarë ka mbërritur në Tiranë edhe bashkëshortja e kantautorit të njohur Dori Ghezzi. Shkrimtari Ylljet Aliçka një nga miqtë e Fabrizio De Andre, i cili u nda nga jeta në vitin 1999 në Genova ka prezantuar në këtë mbrëmje përkujtimore, librin “Fat Qesharak” në nderim të këtij autori.

Në këtë mbrëmje gjithçka ka nisur me këtë dokumentar të shkurtër kushtuar figurës së Fabrizio De Andre dhe më pas miqtë e ftuar në këtë mbrëmje kanë interpretuar edhe këngë nga krijimtaria e tij. Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë rreth 100 të ftuar, intelektual shqiptarë, personalitete të artit dhe të kulturës sonë si edhe fansa të kantautorit të njohur italian./tvklan.al