Siria përfshihet sërish nga kaosi. Kur u duk se vendi po i kthehej normalitetit pas rënies së regjimit të Bashar Al Assad shpërthyen përleshjet mes forcave qeveritare të sigurisë dhe besnikëve të ish-presidentit.

Si pasojë e përplasjeve të ashpra kanë humbur jetën të paktën 70 persona, ndërsa janë plagosur dhjetra të tjerë. Një shtetrrethim është vendosur në qytetet port, Latakia dhe Tartous.

Gjithçka nisi kur forcat qeveritare u zunë në pritë gjatë një operacioni të sigurisë në Latakia. Videot e publikuara në internet tregojnë të shtëna armësh në disa vende.

Forcat e sigurisë u përleshën me persona të armatosur, mbështetës të një komandanti të forcave speciale të kohës së Asadit në një fshat tjetër në Latakia, pasi autoritetet thuhet se nisën sulme me helikopterë.

Forcat e reja të sigurisë të vendit kanë kryer operacione për të çrrënjosur ish-bastionet e tij. Banorët dhe organizatat kanë raportuar shkelje gjatë këtyre operacioneve ushtarake, duke përfshirë bastisjet e shtëpive, ekzekutimet në terren dhe rrëmbimet.

Regjimi i ri i ka përshkruar shkeljet si “incidente të izoluara” dhe është zotuar të nxjerrë para përgjegjësisë autorët.

Klan News