Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu është ndalur në Përrenjas në turin e tij elektoral për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Mediu kujtoi në këtë takim investimet që ka bërë qeveria e djathtë në këto 4 vitet e fundit, investime që do të vijojnë edhe në mandatin e radhës. 

Fatmir Mediu: “Të shkojmë e të trokasim në zemrat e çdo shqiptari, të dëgjojmë me vëmendje hallet dhe problemet që ata kanë, ndoshta jo për të gjitha kemi përgjigje, por le tu japim atyre mundësi shanse dhe shpresë duke ndenjur bashkë me ta. Se i kemi dhënë mundësi shanse dhe shpresë vetes tonë, kemi krijuar besimin për të ardhmen tonë. E vetmja rrugë për të ndërtuar Shqipërinë është rruga duke dashur dhe respektuar njëri-tjetrin, duke dashur familjen tonë, duke dashur Përrenjasin, duke dashur Shqipërinë.”

Kandidatja për deputete e Partisë Socialiste në qarkun e Elbasanit, Valentina Leskaj pati disa takime me banorë të fshatit Shtërmen ku prezantoi pjesë të programit të ri qeverisës.

Valentina Leskaj: “ Ne do të mbështesim biznesin agrar, do mbështesim biznesin agrar duke përjashtuar nga taksat dhe tatimet deri në 3 vjet të gjitha bizneset e reja, sepse biznesi në fshat ka nevojë për lehtësi që të zhvillohet.”

Kreu i aleancës Demokratike Neritan Ceka u ndal në një takim me banorë dhe sipërmarrës të qarkut të Elbasanit. Gjatë bashkëbisedimit me biznesmenë të fshatrave Konjat dhe Dushk, Ceka tha se aleanca Demokratike ka një program të qartë  dhe të detajuar për zhvillimin e biznesit në zonat rurale.

Neritan Ceka: “Ne do përpiqemi në këto 4 vjet që shteti të bëjë një pakt,t’iu inkurajojë, veçanërisht biznesin që zhvillohet në ferma, që zhvillohet në territoret fshatare.”

Elisa Spiropali: “4 vjet më parë kryeministri Berisha premtoi se do të ulte TVSH-në për shërbimet mjekësore, do ta eliminonte atë. 4 vjet më vonë, tani në fund të qeverisjes së tij TVSH-ja për shërbimet mjekësore ende në 20%, pra në nivelin që ka qenë në 2005. Ky është një premtim i pambajtur i zotit Berisha dhe ky përkthehet në një shërbim më të varfër për shqiptarët, ky përkthehet në spitale më të varfra në makineri, në pajisje që u duhen qytetarëve për tu shërbyer njerëzve të sëmurë.”

Gjatë fushatës së tij elektorale kandidati për deputet i partisë Socialiste Gramoz Ruci zhvilloi disa takime me mbështetës në fshatin Ballgat të qarkut të Lushnjës.

Gramoz Ruçi: “Një program i prekur me dorë nga ju, i dëgjuar me veshë tek ju dhe i bërë me shpirt nga ju.”

….

Apollon Baçe: “Do të vetëdijesim se përgjegjësia e gabimeve të rënda të 18 vjetëve të shkuar, pa barazia para ligjit, korrupsioni, mungesa e transparencës, mungesa e plotë e vizionit ekonomik, i takon sa njërës palë aq edhe tjetrës. Të dy këto parti kanë kaluar  në debate formale … duke iu shmangur problemeve që shqetësojnë sot shoqërinë shqiptare. Poli i Lirisë i hedh binomit PD-PS … e sfidës për ballafaqimin me idetë  e vizionet e Polit, për ballafaqimin e drejtpërdrejtë me syrin e qytetarit të thjeshtë, me gjykatës qytetarin e thjeshtë, i cili di fare bukur ta ndajë farsën mediatike nga realiteti i hidhur.”

Kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit Ekrem Spahiu zhvilloi disa takime në rrethin e Tropojës. Gjatë fjalës së tij përshëndetëse Spahiu u ndal në investimet e kryera  gjatë këtyre 4 vjetëve si dhe në prezantimin e disa prej prioriteteve të qeverisë për 4-vjeçarin e ardhshëm.

Ekrem Spahiu: “Qeveria shqiptare e ka kthyer Shqipërinë në një kantier pune nga Qafë Bota e Sarandës deri në Valbonë të Tropojës. Shqipëria realisht po ndryshon.”/tvklan.al