Kombëtarja shqiptare U-17, triumfoi me përmbysje ndaj Polonisë, në miqësore me rezultatin 3-2.
Një ndeshje e bukur dhe spektakolare, me kuqezinjtë që iu falën dopietës së Gabriel Kullës dhe golit të Serxho Voglit.
Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e polakëve, pas golit të shënuar nga Jakub Kaczowka në minutën e 43-të.
Megjithatë, fraksioni i dytë i lojës ishte tjetër histori, pasi Shqipëria ndryshoi rrjedhën e takimit.
Kuqezinjtë e Tedesco, barazuan rezultatin në minutën e 53-të me Gabriel Kullën. Sulmuesi kuqezi realizoi një supergol nga goditja e dënimit.
Polonia mori sërish avantazhin në të 56-ën, megjithatë Kulla ishte i pandalshëm dhe barazoi takimin në minutën e 66-të. Sulmuesi bëri gjithçka mirë brenda zonës dhe me një goditje të bukur shënoi golin e dytë personal.
Shqipëria përmbysi gjithçka në minutën e 79-të me Serxho Voglin. Mesfushori kuqezi vulosi fitoren e Shqipërisë me një gol me kokë nga brenda zonës. Në fund sfida u mbyll me fitoren e Shqipërisë U-17 me rezultatin 3-2. /tvklan.al