Europiani për 17 vjeçarë do të zhvillohet në Shqipëri vitin e ardhshëm, ndërsa gjatë kësaj jave, në vendin tonë u luajtën ndeshjet për raundin e parë kualifikuese.

Shqipëria U-17 ishte në grup me Holandën, Kroacinë dhe Ishujt Faroe, ndërsa ndaj këtyre të fundit mbylli fushatën kualifikuese me fitore.

Në lidhje me këtë ka reaguar edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili ka përgëzuar ekipin dhe stafin teknik, për fitoren dhe për paraqitjet e treguara.

“Gjatë një jave kemi pritur në vendin tonë kombëtaret U-17 të Holandës, Kroacisë dhe Ishujve Faroe, që zhvilluan së bashku me Kombëtaren tonë U-17 raundin e parë të kualifikueseve të UEFA Euro U-17 2025, që zhvillohet në Shqipëri verën e ardhme.

Dje u mbyllën takimet e fundit në grup dhe Kombëtarja jonë e mbylli me një fitore 1-0 ndaj Ishujve Faroe, kurse Kroacia mundi Holandën 3-1 në “Shtëpinë e Futbollit”.

I përgëzoj djemtë tanë dhe stafin për fitoren, si dhe skuadrat për paraqitjet e bëra në këto ndeshje. Gjithashtu u uroj shumë suksese në vazhdim”, shkruan Duka.

/tvklan.al