Hall të bie shi se skemi drita e hall të bie se përmbytemi. Ky është oborri i shkollës 8-vjeçare “Sabaudin Gavrani” në Tiranë. Sot në mëngjes fëmijët nuk mund të hynin dot në shkollë sepse ajo ishte përmbytur. Vija në mure tregon dhe nivelin ku ka arritur uji. Zona ku ndodhet shkolla si dhe një pjesë e Tiranës së re, janë përmbytur dje në darkë pasi tubacionet që duhet të bëjnë zhbllokimin e ujërave të shiut për në Lanë janë bllokuar nga ndërtimet pa leje.
Kjo gjë ka jo pak, por vite të tëra që një shi i vogël të bie dhe Tirana bëhet si Venecia. Për këtë arsye, Bashkia e Tiranës ka kërkuar që pronarët që kanë ndërtesat mbi Lanë të ndihmojnë. Nënkryetari i Bashkisë Blendi Gonxhe, thotë:
“I kemi dërguar nga një letër zyrtare pronarëve, ilegjitim kioskave ose ndërtimeve dhe i kemi porositur që brenda një date të caktuar që është dita e hënë, të ndryshojë situatën, situatë të cilën e dimë mirë që ata nuk e ndryshojnë dot. Pra ne kemi detyrimin ligjor, detyrimin ndaj publikut, ndaj qytetarëve që kanë votuar dhe ndaj gjithë atyre që presin që Tirana të ndryshojë. Në datën 13, ditën e hënë në mëngjes ata që kanë zënë kolektorët, kamionët që të ngarkojnë plaçkat, Bashkia e Tiranës bashkë me Policinë Ndërtimore gjithë strukturat përkatëse do të vazhdojë të veprojë për mos t’a lënë atë operacion që ne zhvilluam me trotuaret, një operacion sipërfaqësore zbukurimi, domethënë tualeti, por për t’i shkuar gjërave deri në fund. U kemi thënë qytetarëve që ne do u shkojmë gjërave deri në fund dhe ne do t’u shkojmë.”
Pra deri të hënën kërkesa nga bashkia është qytetare, më pas çdo gjë do të bëhet ligjore. Dje mjaftuan vetëm 10 minuta shi dhe rrugët e Tiranës u kthyen në lumenj./tvklan.al