Përmbytjet e fundit dhe rrëshqitjet e tokës në Bosnjën jugore dhe Kroaci kanë shkaktuar një ndotje shumë të madhe në lumin Neretva.
Pamjet me dron tregojnë mbeturinat që kanë mbuluar hidrocentralin e Grabovicës.
Të paktën 27 persona kanë humbur jetën nga përmbytjet të cilat shkatërruan fshatra të tëra në të gjithë Bosnje-Hercegovinën.
“Unë jam dëshmitar i asaj që përmbytjet kanë shkaktuar në këtë lum. Kur ndodhën përmbytjet një viktimë u zbulua afër digës së Grabovicës. Aty vura re sesi lumi ishte i mbushur me një sasi të madhe mbeturinash.”
Rruga që lidh Bosnjën qendrore dhe jugore është dëmtuar rëndë, kompanitë dhe shtëpitë janë zhytur nën ujë dhe qindra bagëti kanë ngordhur.
Linja hekurudhore që lidh qytetet boshnjake me portin kroat të Ploces u shkatërrua plotësisht në një gjatësi prej 17 km drejt qytetit jugor të Mostarit.
“Asnjë dëm nuk është i krahasueshëm me jetët njerëzore të humbura në këto ngjarje fatkeqe. Por nuk ka rrugë në drejtim të veriut dhe jugut të Bosnje dhe Hercegovinës pasi janë shkatërruar.”
Ekspertët dhe ambientalistët kanë frikë për pasoja edhe më të rënda për rajonin për shkak të mbeturinave.
Klan News