Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar probleme në Shkodër, kryesisht në zonën e Obotit ku janë përmbytur toka bujqësore.

Për të parë nga afër situatën, në Obot ka shkuar edhe kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi, e cila në një deklaratë për mediat tha se deri më tani nuk është e nevojshme që të evakuohen banorët e zonës.

Nëse situata do të përkeqësohet, tha ajo, Bashkia Shkodër ka në dispozicion 200 shtretër për personat që do të evakuohen.

“Në këto momente ne nuk kemi probleme me nevojën e evakuimit, nuk besoj të paktën në këto nivele që të kemi nevojë të tillë. Nevojën e kemi vetëm për transport. Shpresoj që të mos kemi probleme të rënda, sepse kjo do të na vështirësojë situatën e emergjencës jo vetëm për shkak të ujit, por edhe të problemeve të tjera që kemi lidhur me emergjencën për ndotjen mjedisore. Mendoj që këtu duhet të marrim një përgjegjësi që na takon të gjithëve për të menaxhuar situatën. Në qoftë se do të ketë nevojë për evakuim, patjetër që Bashkia Shkodër ne kemi rreth 200 shtretër të gatshëm që janë të mundshëm për evakuim”.

Përveç përmbytjeve, reshjet e shiut kanë shkaktuar edhe probleme në furnizimin me energji elektrike.

“Gjatë gjithë ditës kemi pasur problematika me furnizimin me energjie elektrike, kemi rreth 10 ditë që kemi probleme. Në Dajç më është konfirmuar që nuk ka furnizim me energjie elektrike. Do të verifikojmë të gjitha, do të shikojmë si shkon dita në vazhdim”. /tvklan.al