Gjykata e Strasburgut ka marrë në shqyrtim me përparësi kërkesën e bërë nga Sali Berisha në lidhje me masat e sigurisë që prokuroria dhe Gjykata e Posaçme caktuan ndaj tij.
Lajmi bëhet i ditur nga avokati i ish-Kryeministrit Sali Berisha, Genc Gjokutaj, i cili në një komunikim për mediat jashtë ambienteve të Gjykatës së Posaçme, tregoi se cilat ishin pretendimet e ngritura prej tyre përballë gjyqtarëve të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
“Doja të bëja me dije që jemi njoftuar zyrtarisht që Gjykata e Strasburgut ka kaluar në fazën e debatit çështjen e z.Berisha në një afat rekord, e ka konsideruar çështje prioritet dhe i ka drejtuar pyetje shtetit shqiptar në lidhje me procesin e parregullt ligjor. Strasburgu ka ecur me shpejtësi, është e paprecedentë një gjë e tillë. Shkresa ka ardhur drejtuar shtetit shqiptar. Do të plotësohen pyetjet, do kthehen dhe pastaj do merret një vendim”.
Këtë të hënë Gjykata e Posaçme e pati të pamundur të zhvillonte seancën paraprake ku do të shqyrtojë kërkesën e SPAK për të marr të pandehur ish-Kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe 3 persona të tjerë.
Shkak u bë për të dytën herë volumi i dosjes, ku prokurorët e posaçëm kanë ngritur dyshime se ish-Kryeministri nëpërmjet dhëndrit të tij është korruptuar në procesin e privatizimit të kompleksit Partizani.
Akuzat janë kundërshtuar nga Berisha e Malltezi, që i konsiderojnë ato si një sulm politik që po u bëhet nëpërmjet SPAK.
Tv Klan