Ministri i mbrojtjes, Pirro Vengu pas mbledhjes me Emergjencat Civile Vlorë në një prononcim për mediat ka folur për situatën e përmbytjeve në Vlorë.
Ministri Vengu gjatë fjalës së tij tha se intensiteti i reshjeve ka qenë i lartë, teksa theksoi edhe shkaqe të tjera si fakti që sistemi i pompimit dhe hidrovori s’ka qenë në kushte optimale.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu: Sapo kemi realizuar një mbledhje të dytë të Emergjencave Civile Vlorë, me prefektin dhe kryetarin e Bashkisë dhe gjithë strukturat, qoftë ushtarake apo të emergjencave civile që janë angazhuar në terren që prej pasdites së djeshme. Kemi aktualisht ende 250 forca civile dhe ushtarake në terren, në gjitha zonat e prekura, sigurisht është ai trekëndëshi midis rrugës Romina Arbana, Kishës Ortodokse dhe lagjes historike, që mbeten ende një pjesë të pallateve dhe garazheve të prekura dhe nën ujë. 62 janë të evidentuara si të tilla, ndaj forcat janë angazhuar që të çlirohen ujërat që të vihen në funksionalitet të plotë qoftë stacionet e pompimit, që kanë pasur vështirësi mbrëmjen kaluar nga ai vërshim, sikundër hidrovori të vijojë punën në kushte optimale.
Jemi në një situatë tashmë që po bëjmë të mundur edhe evidentimin e dëmeve në mënyrë që t’ju qëndrojmë pranë qytetarëve edhe bizneseve. Lagja historike ka pasur disa problematika dhe është prekur dhe kemi pesë grupe në fakt të bashkisë dhe dua ta falenderoj Ermalin për të gjithë organizimin e ekipeve në terren sepse tani është koha që t’ju qëndrojmë pranë të gjithë qytetarëve, të evidentojmë dëmet dhe të shfrytësojmë të gjithë ato instrumenta financiar dhe rregullator që i japin mundësinë qoftë bashkisë apo Agjencisë Kombëtare të Emergjencave Civile që të dëmshpërblejë banorët për të gjitha këto dëme që janë konstatuar dhe do të bëjmë të mundur që në një periudhë shumë të shkurtër të japim edhe resurset e nevojshme financiare”, deklaroi ministri Vengu.
Lidhur me dëmshpërblimin e qytetarëve dhe bizneseve ministri shprehet se do të gjendet instrumentet për t’ju ardhur në ndihmë dhe se nuk do të përjashtohet asnjë i prekur nga përmbytjet.
“Legjislacioni parashikon një rend dëmshpërblimi që i jep përparësi individëve që preken dhe familjeve. Bizneset kemi instrumente të tjerë të cilët po i konsiderojmë, siç janë rimbursimet përmes instrumentit tatimor dhe evidenca e dëmeve do përcaktojë edhe vlerën e instrumenteve tatimor, sepse presupzohet që kanë instrumente të tjerë bizneset qoftë siguracioni. Ne s’do të përjashtojmë askënd, qoftë individët, familjarët dhe bizneset do u qëndrojmë pranë dhe do të gjejmë instrumente për t’ju ardhur në ndihmë,” thekson Vengu.
I pyetur nëse janë evidentuar shkaqet që sollën këtë situatë në Vlorë, Vengu përmendi disa prej tyre.
“E para ka shkaqe objektive ku në shumë pak orë kanë vërshuar 20 cm ujë, në një zonë gjeografike të limituar. Ka dhe shkaqe teknike që lidhen me rrjetin infrastrukturor dhe të evakuimit të ujërave të zeza dhe bardha në nivel bashkie dhe qarku. Janë evidente nga ekipet në terren që po shohin, që nga kolektorët deri te hidrovorët e stacionet e pompimit, situata nuk ka qenë detyrimisht në kushtet optimale. Na duhet patjetër të reagojmë dhe përmirësojmë përmes investimeve në javët dhe muajt në vijim.”
Vengu u shpreh se ndërhyrja ka qenë e shpejtë nga ekipet e emergjencave dhe se nga ai moment ato kanë qenë në dispozicion.
“Patjetër që ndërhyrja ka qenë e shpejtë dhe e duhur, pavarësisht se ekipet tona nuk lëvizin me media a foto, nuk do të thotë që s’kanë qenë në terren që në momentin e parë. Kanë qenë tre orë kritike nga ora 15:00 deri në 17:30 të pasdites së djeshme ku vërshimi ka qenë maksimal dhe i vështirë për t’u menaxhuar dhe aksesi ka qenë i vështirë. Që nga ai moment kanë qenë në dispozicion edhe mjetet e kalueshmërisë së lartë të FA edhe fadromat në dispozicion dhe një lajm i mirë është që gjithë akset janë të kalueshme”, ka deklaruar Vengu
Sa i takon largimit të ujit nga rrugët e qytetit Vengu shprehet: Kemi dyfishuar dhe po presim të na bashkohen edhe 10 mjete pompimi, 2 mjete me kapacitet shumë të lartë pompimi që përdoren vetëm për rastet e Forcave të Armatosura, çlirimi i ujërave nga nëntoka e pallateve është prioriteti aktualisht. Do ecim hap pas hapi, do shtensionojmë situatën në pallate.
/tvklan.al