Përmirësimi i të gjitha të pavërtetave historike për shqiptarët do të jetë qëllimi kryesor i anëtarëve shqiptarë në redaksinë që duhet të përgatisë botimin e ardhshëm të enciklopedisë maqedonase.

Redaksia e re është formuar pas shkarkimit të redaksisë së vjetër, që përpiloi botimin skandaloz të enciklopedisë, e cila ishte përplot me të pavërteta, ofendime dhe shpifje historike për shqiptarët.

Redaksia e re do të udhëhiqet nga akademiku Mitko Maxhunkov, kurse në të do të anëtarësojnë dhe akademikët shqiptarë Alajdin Abazi dhe Ramiz Abdyli.

Ramiz Abdyli: “Ne shqiptarët nuk vuajmë nga kompleksi se s’kemi histori, ne kemi histori shumë të begatë, prandaj ne do të insistojmë që e vërteta shkencore të dali në pah, jo të na mohohet e drejta e jonë ndër shekuj që kemi jetuar tre mijë, katër mijë e ca vjet në këto troje”.

Profesor Abdyli thotë, se do të angazhohet për minimizim të ndikimit të edicionit të vjetër të enciklopedisë, kurse do të insistoj që emri i enciklopedisë së re të jetë emri i enciklopedisë së Maqedonisë, e jo enciklopedia maqedonase.

Ramiz Abdyli: “Ajo enciklopedia maqedonase nuk do të ketë vend fare këtu”.

Përgatitja e enciklopedisë së re do të zgjasë tre vite. Në përpilimin e saj pritet të angazhohen edhe shkencëtarë nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët do të japin ndihmën e nevojshme për pjesën e enciklopedisë që do t’i kushtohet shqiptarëve.

Nga Shkupi për Tv Klan Isen Saliu./tvklan.al