Ne shenje proteste ndaj përmbajtjes se enciklopedisë maqedonase, tre anëtarë shqiptare te akademisë se shkencave ne Shkup kane dhënë dorëheqjen.
Luan Starova, Ali Aliu dhe Alajdin Abazi, përmes një letre kanë paralajmëruar dorëheqjen e kushtëzuar nga kjo akademi.
Në një intervistë telefonike të dhënë drejtpërdrejtë në edicionin e orës 19:30 në Televizionin Kombëtar Klan akademiku Luan Starova shpjegoi se bëhet fjalë për dorëheqje të kushtëzuar, e cila do të aktivizohet në rast se nuk tërhiqet enciklopedia e botuar javën e shkuar.
Luan Starova: “Kërkojmë në mënyrë imediate të bllokohen të gjithë akademikët në një seancë plenare ku nëse nuk sillet vendim që këto pjesë të enciklopedisë janë fyese për ne ose enciklopedia në përgjithësi të tërhiqen do të jenë kërkesat tona.”
Siç është përfolur kohët e fundit në radhët e partive shqiptarë dhe organizatave jo qeveritare, Starova nuk ka përjashtuar mundësinë e krijimit të një akademie shqiptare në Maqedoni në rast se kjo enciklopedi nuk tërhiqet.
Sonila Meço: “Është artikuluar nga organizata joqeveritare e shoqërisë civile, parti politike shqiptare mundësia e krijimit të një akademie shkencash shqiptare në Shkup. I qëndroni kësaj ideje?”
Luan Starova: “Për ne kryesorja është beteja për fitore të, të gjendet një rrugëdalje. Nëse nuk tërhiqet enciklopedia atëherë mund të mendohet për një gjë të tillë”.
Starova ka sjellë në kujtesë se enciklopedia që përmban shpifje, ofendime dhe fakte të pavërteta historike ndaj shqiptarëve, ka nisur të krijohej nga akademikët nacionalistë maqedonas që në vitin 2003.
Ndonëse unë jam distancuar, thotë ai, kundërshtimet ndaj saj duhej të kishin nisur masivisht që atëherë.
Luan Starova: “Fatkeqësisht që në fillim, që në nisje shqiptarët janë trajtuar, i janë vënë kufij në kulturën e tyre, në historinë e tyre, në traditat e tyre. Unë personalisht si akademiku i pare i akademisë jam distancuar edhe me shkrim mbi një enciklopedi pa baza shkencore, mirëpo mungonte një përkrahje, mungonte kjo që ndodh sot. Kjo ishte ne vitin 2003. Angazhimi natyrisht i mbarë opinionit, i partive, organizatave që sot është mese i nevojshëm mirëpo po të ishte në atë kohë unë besoj se do të evitoheshin shumë gjëra”./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle