Reshjet e dëborës dhe të shiut vijojnë të shkaktojnë probleme në disa qarqe të vendit. Situata këtë të hënë duket më e përmirësuar pasi është punuar për mbajtjen hapur të akseve kryesore rrugore dhe rikthimin e energjisë në zonat ku era dëmtoi shtyllat.

Në Shkodër, problem mbetet zona e Thethit, pasi trashësia e dëborës regjistron disa centimetra, ndërsa borëpastrues përpiqen ta mbajnë të hapur këtë aks për banorët. Në Dibër, reshjet e dëborës vijojnë, ndërsa lëvizja në kaset kryesore bëhet vetëm me zinxhirë.

Problematike vijon të paraqitet situata në zonën e Qafës së Murrizit në Rrugën e Arbrit.

Në Korçë dhe Pogradec, situata paraqitet pa probleme, ndërsa në Qafë Thanë dhe aksin që të çon drejt Elbasanit, pas një nate të vështirë ku shumë drejtues automjetesh u kapën në befasi nga Dëbora e dendur dhe u bllokuan për disa orë, situata është përmirësuar.

Po ashtu në Vlorë, një lagje që kishte prezencë të ujit për shkak të reshjeve, u punua gjatë natës për normalizimin e situatës. Banorët e disa fshatrave të thella malore në veri dhe juglindje vijojnë të jenë të bllokuar. 

Klan News