Përmirësohet situata nga moti i keq në vendin tonë. Pas dy ditësh bllokimi, është bërë e mundur hapja për qarkullimin e Bypassit në qafën e Murrizit në Rrugën e Arbrit.
Megjithatë, këshillohen drejtuesin që të përdorin goma dimërore e zinxhirë e të bëjnë kujdes. Në qarkun e Dibrës të hapura janë edhe akset e tjera përfshirë ato që lidhin Peshkopinë me Tiranën dhe Kukësin.
Në këto rrugë ka vështirësi herë pas here por jo bllokim. Situata është përmirësuar edhe në rrugët drejt njësive administrative. Megjithatë, në disa fshatra ka probleme me furnizimin me energji elektrike. Rrugët janë të qarkullueshme edhe në juglindje pas ndërprerjes së reshjeve.
Probleme raportohen vetëm në zonën e Mokrrës ku lëvizja është e vështirë, ndërsa ka probleme edhe me furnizimin me energji elektrike. Në Shkodër ka probleme në Fushë Arrëz, ku një njësi është e bllokuar nga prania e borës ndërsa rrugët e tjera nacionale janë të hapura.
Për shkak të motit dhe temperaturave të ulëta, mësimi në disa shkolla vijon të jetë i pezulluar.
Klan News