Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Përplasje dhe kaos kanë shkaktuar deklarimet e shtetarëve dhe titullarëve në lidhje me krimin dhe punën e policisë, gjatë muajit të fundit. Kështu disa ditë më parë, kreu i shtetit Alfred Moisiu kërkoi nga Ministria e Rendit më shumë përgjegjësi për situatën në vend, duke kujtuar se masat kanë mbërritur deri në Tiranë.

Alfred Moisiu: “Shikojmë që kohët e fundit, janë dukur maskat në vende të ndryshme duke filluar nga kryeqyteti dhe në qytete të tjera. Po kështu është një vërejtje me vend që na bëhet nga organizmat ndërkombëtare, sepse ka disa rajone, që rendi nuk është vendosur plotësisht.”

Duke përgënjeshtruar deklaratën e Moisiut, zëdhënësi i ministrit komunikoi brenda disa orëve, se presidenca nuk ka informacion të plotë.

Florion Seriani: “Për shkak të konfuzionit të shkaktuar, nga deklarimet e tij është e detyruar të paraqesë disa të dhëna, të cilat i ka bërë të ditura edhe në këtë takim, nëpërmjet ministrit të rendit, duke iu referuar këtyre të dhënave, të cilat kanë në brendësi të tyre edhe kontributin personal të Presidentit të Republikës, Ministria e Rendit Publik do të kërkojë informim profesional të strukturave të tij të informacionit, për të mundësuar verifikimin e drejtpërdrejt të gjendjes reale të kriminalitetit.”

Ndërsa brenda ditës ministri i Rendit Igli Toska deklaroi se gjatë punëve të kohëve të fundit, policia e shtetit ka pasur mjaft suksese duke përmendur për këtë dhe mjaft statistika pozitive.

Igli Toska: “Ka nevojë për më tepër informacion, strukturat informative të presidentit të republikës duhet që të marrin në mënyrë institucionale, nëpërmjet levave që ata kanë, informacionin nga Ministria e Rendit dhe Policia e Shtetit, në mënyrë që të mos ketë më mospërputhje të deklarimeve me shifrat reale që ka Policia e Shtetit në luftë kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme.”

Por statistikat kanë tradhtuar sërish policinë e shtetit dhe Ministrinë e Rendit. Vetë kreu i policisë Ibraj duke folur me gjuhën e shifrave me gjithë komentet për evidentim më të saktë të veprave penale ka pohuar rritje të krimit në vend.

Bajram Ibraj: “Kemi evidentuar 6067 vepra penale, ose 24% më shumë se vitine  kaluar.”

Kështu pas mjaft deklaratave kontradiktore, pas përgënjeshtrimeve dhe statistikave të servirura, duket se në vend statistikat flasin për rritje të kriminalitetit./tvklan.al

Gazetare: Aranita Brahaj