Përplasjet e dhunshme në Parlament nisën në momentin kur kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviç, dhe ministrat e qeverisë serbe hynë në sallën plenare, ku do të paraqitej buxheti për vitin 2025.
Sigurimi i Parlamentit serb ndërhyri për t’i ndarë deputetët e pushtetit dhe opozitës, teksa ata po shtyheshin dhe po godisnin njëri-tjetrin. Përleshjet nisën pasi opozita tentoi të vendoste fletët ngjitëse me mesazhin “Duart i keni me gjak” në vendin ku ulen ministrat. Deputetët opozitarë ngritën po ashtu pankarta ku shkruhej “Korrupsioni vret” dhe “Duart tuaja janë të përlyera me gjak”. Ata gjithashtu shpalosën një pankartë me figurën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ku duart e tij ishin me ngjyrë të kuqe.
Keto mesazhe janë kthyer në slogan të protestave që ka mbajtur këto kohë opozita serbe në sheshe për të kërkuar përgjegjësi penale dhe politike të autoriteteve lidhur me incidentin ku mbetën të vdekur 15 qytetarë nga shembja e strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad.
Kryetarja e Parlamentit serb, Ana Bërnabiç, u kërkoi deputetëve të kthehen në ulëset e tyre, në mënyrë që seanca plenare të mund të vazhdojë. Deputetët opozitarë bllokuan punën e Parlamentit, pasi Bërnabiç refuzoi kërkesën e tyre për të caktuar një seancë ku do të diskutohej për një mocion mosbesimi ndaj qeverisë serbe, pas incidentit në stacionin hekurudhor në Novi Sad më 1 nëntor, kur 15 persona humbën jetën si pasojë e shembjes së një strehe prej betoni.
Opozita serbe po kërkon shkarkimin e kryeministrit Millosh Vuçeviç, si dhe përcaktimin e përgjegjësisë politike dhe penale për ngjarjen në Novi Sad.
Klan News