Korrespondentë amerikanë dhe media të tjera sociale po nxjerrin në pah se Donald Trump mund të jetë duke pësuar disfatë në shtete si Georgia e Arizona për shkak të kritikave që ka bërë më herët për dy heronj amerikanë.
Biden aktualisht udhëheq në të dy këto shtete, që kanë votuar për republikanët gjatë presidencialeve të fundit, ndonëse numërimi i votave nuk ka përfunduar ende.
Trump ka sulmuar në mënyrë të përsëritur senatorin e ndjerë të Arizona, John McCain, duke vënë në pikëpyetje nëse duhet të konsiderohet ose jo hero lufte, sepse kishte qenë i burgosur në Vietnam.
Vitin e shkuar, Trump tha se McCain “kishte dështuar në raport me veteranët” dhe e sulmoi për “një luftë në Lindjen e Mesme”, duke iu referuar mbështetjes së senatorit për luftën në Irak.
“Jo nga ata tipa që kam qejf“, tha presidenti. “Por disa njerëz e kanë qejf dhe me këtë nuk kam asgjë kundër”.
Ndërkohë, Trump po humb kryesimin edhe në Clayton County, Georgia, që është shtëpia e kongresmenit të ndjerë demokrat dhe ikonës së të drejtave civile, John Lewis.
Në 2017-n, Lewis vuri në pikëpyetje legjitimitetin e Trump si president, duke theksuar nevojën e një hetimi për ndërhyrjen e mundshme ruse në zgjedhjet e 2016-s.
Trump u kundërpërgjigj duke thënë se Lewis kishte “vetëm llafe”.
“Kongresmeni John Lewis duhet të shpenzojë më shumë kohë duke rregulluar dhe ndihmuar zonën që përfaqëson, që është në situatë të tmerrshme (për të mos përmendur situatën me krimin) dhe jo të ankohet pa të drejtë për rezultatet e zgjedhjeve. Vetëm fjalë, fjalë, fjalë-asgjë konkrete apo rezultate. E trishtë”, shkruajti Trump në atë kohë në një postim në Twitter./tvklan.al