Ish-Presidenti i Perusë Alejandro Toledo u shpall fajtor të hënën për marrje ryshfeti nga kompania braziliane e ndërtimit Odebrecht dhe u dënua me 20 vjet e 6 muaj burg. Vendimi shënon dënimin e parë të profilit të lartë në Peru, lidhur me operacionin e koduar “Lava Jato” (larja e makinës) që çoi në zbulimin e një skandali korrupsioni në Brazil.
Alejandro Toledo, 78 vjeç, ekonomist, që ka mbaruar doktoraturën në Universitetin e Stanfordit, drejtoi Perunë nga viti 2001 deri në 2006.
Ai u dënua për marrjen e ryshfetit prej 35 milionë dollarësh nga kompania e njohur më parë si Odebrecht, sipas prokurorëve, në këmbim të një kontrate për ndërtimin prej saj të rrugës që tani lidh bregdetin jugor të Perusë me një zonë në Brazilin perëndimor.
Gjatë procesit gjyqësor njëvjeçar, zoti Toledo mohoi akuzat për pastrim parash dhe atë të bashkëpunimit për të kufizuar konkurencën.
Kompania Odebrecht, e njohur tani si Novonor, ishte në qendër të skandalit më të madh të korrupsionit në Amerikën Latine, pasi pranoi në vitin 2016 se kishte korruptuar zyrtarë në dhjetra vende për të siguruar kontratat e punëve publike.
Javën e kaluar, ish-Presidenti Toledo i kërkoi gjykatës që ta lejonte të vuante dënimin në shtëpi, ndërsa përballej me kancerin.
“Ju lutem më lejoni të shërohem ose të vdes në shtëpi”, tha ai.
Masa e dënimit u dha në një burg të vogël në Lima, ku Toledo qëndron i burgosur që nga viti i kaluar.
Ish-presidenti Pedro Castillo po mbahet në të njëjtin burg ndërsa përballet me akuzat për “rebelim” pasi u përpoq të shpërndante Kongresin në 2022.
Dy ish-presidentë të tjerë, Pedro Pablo Kuczynski dhe Ollanta Humala, janë gjithashtu në hetim për çështjen “Odebrec”.
Ish-Presidenti Toledo, u arrestua në Shtetet e Bashkuara në vitin 2019 pasi zyrtarët në Peru kërkuan ekstradimin e tij.
/VOA