Paleontologët në Peru kanë zbuluar një fosil 9 milion vjeçar që është i afërm i peshkaqenit të bardhë, i cili dikur banonte në ujërat e Paqësorit jugor dhe ushqehej me sardele.

Cosmopolitodus Hastalis u gjend thuajse i plotë, rreth 235 kilometra në jug të Lima, në basenin Pisco që është një zonë e nxehtë dhe e shkretë, e famshme për zbulimin e specieve të lashta ujore.

Peshkaqeni besohet të jetë paraardhës i peshkaqenit të bardhë. Tani është i zhdukur, por dhëmbët e tij kishin një gjatësi prej 8.9 centimetrash. Të rriturit mund të arrinin deri në thuajse 7 metra gjatësi, sa një varkë e vogël.

Cesar Augusto Chacaltana, inxhinier në institutin gjeologjik dhe të minerave tha se mbetjet e peshkaqenit tregojnë “fosilizim të jashtëzakonshëm”. Shkencëtarët i prezantuan dhëmbët e tij në disa urna speciale qelqi, ku në njërën ndodhej një dhëmballë gjigante dhe e mprehtë.

Paleontologu Mario Urbina shtoi se në stomakun e fosilit u gjetën sardele. Ai theksoi se kur peshkaqeni enden në oqean nuk kishte açuge dhe sardelet ishin një element kyç  në dietën e grabitqarëve ujorë.

Në muajin nëntor, ata paraqitën fosilin e një krokodili të vogël që  jetonte më shumë se 10 milionë vite më parë në Perunë qendrore, ku gjenden Pisco dhe rajoni Ica. Prillin e shkuar, shkencëtarët ekspozuan kafkën e fosilit më të madh të delfinit të lumit që njihet deri më tani, i cili jetonte në Amazonë para 16 milionë vitesh./tvklan.al