Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Zona pranë Uzinës së Traktorëve, blloku Vasil Shanto, së bashku me lagjen Selitë, nuk do të kenë më ndërprerje të energjisë elektrike nga mbingarkesa. Këtë lajm të mirë e sjell KESH, pas inaugurimit të dy nënstacioneve elektrik, të vendosur në Uzinën e Traktorëve dhe Selitë. Në ceremoni merrnin pjesë ministri i Ekonomisë Publike dhe Privatizimi, Mustafa Muçi, drejtori i përgjithshëm i KESH, Dritan Prifti dhe ambasadori italian Bova.

Furnizimi i dy nënstacioneve, bëhet i mundur nga financimi i emergjencës prej rreth 190 mijë lekësh, dhuratë e Ministrisë së Jashtme italiane dhe drejtorisë së përgjithshme të kooperimit dhe zhvillimit. Përmes këtij financimi bëhet dhe furnizimi i dy nënstacioneve të Shkozetit dhe Shkodrës. Të gjitha këto janë realizuar me anë të dy kontratave me shoqëritë ENEL Power, italiane dhe Jakopson norvegjeze.

Mustafa Muçi:- “Synohet të garantohet furnizimi i pa ndërprerë me energji elektrike, në momentet e pikut ku krijohet mbingarkesë, në furnizimin me energji elektrike, të banorëve të Tiranës dhe kjo ndikon edhe në furnizimin pa probleme të disa zonave që janë të rëndësishme në Tiranë”./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti