Pas dorëheqjes së Ilir Kernit, nga Drejtori i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, artistët i kërkojnë Kryeministrit Edi Rama të mos e firmosë dorëheqjen.
Peticioni është nënshkruar nga thuajse e gjithë trupa e baletit, operës, korit dhe orkestrës. Në apelin drejtuar Kryeministrit Edi Rama, ata i kërkojnë të mos e firmosë dorëheqjen, pasi sipas tyre vazhdimësia e Ilir Kernit është garancia në luftën kundër nepotizmit, klientelizmit dhe padrejtësisë.
Duke theksuar sakrificën e të bërit art në kushte të vështira ekonomike, komuniteti i artistëve të TKOB, që për herë të parë bëhen bashkë për të mos lejuar largimin e një drejtori, i drejtohen Edi Ramës me fjalët për mos ta thyer Ilirin, pasi për ta është shembull motivimi dhe ka dhënë një kontribut të vyer në rritjen artistike të institucionit.
Para se ta nënshkruante peticionin, një nga veteranët e Teatrit të Operas dhe Baletit, regjisori Nikolin Gurakuqi në një status të gjatë për dorëheqjen e Ilir Kernit, përveç se i kërkon të tërhiqet nga ky vendimi shkruan se Opera Kombëtare ka kohë që është shndërruar në arene grindjesh në majën e piramidës së saj.
Pas peticionit, Ministria e Kulturës në një reagim të saj thotë se dorëheqja e Drejtorit të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit është një akt individual vullnetar dhe si i tillë nuk komentohet.
Peticioni do të jetë në tryezën e kryeministrit Edi Rama, para mbledhjes së qeverisë ditën e mërkurë. Tre ditë nga dorëzimi i dorëheqjes së Ilir Kernit, Edi Rama nuk ka pasur asnjë reagim, ndërkohë që nuk kanë munguar reagimet e njerëzve të artit dhe politik-bërjes. /TV KLAN