Prishtinë-Përfaqësues të shoqërisë civile dorëzuan të martën në Parlamentin e Kosovës një peticion me kërkesën për debat parlamentar dhe zbardhjen e vdekjes së veprimtarit të lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, i cili vdiq më 5 nëntor në burgun e Prizrenit.
Përmes peticionit të nënshkruar nga rreth 24 mijë qytetarë për një seancë të jashtëzakonshme të parlamentit, kërkohet edhe dorëheqja e ministrit të Brendshëm, ministres së Drejtësisë dhe shkarkimi i përgjegjësve në zinxhirin komandues si dhe një hetim të pavarur për mënyrën e vdekjes së Astrit Deharit.
Autoritetet thanë se sipas raportit të autopsisë, i ndjeri Astrit Dehari ka bërë vetëvrasje , por lëvizja Vetëvendosje e ka vlerësuar raportin të pabesueshëm, ndërsa ka fajësuar institucionet e shtetit për vdekjen e Astrit Deharit, i cili qe arrestuar së bashku me pesë anëtarë tjerë të lëvizjes Vetëvendosje.
I ndjeri po mbahej në paraburgim për më shumë se dy muaj nën dyshimet për përfshirje në një sulm mbi parlamentin e Kosovës në fillim të muajit gusht.