Drejtuesi i Prokurorisë së Sarandës, Kledian Llaho, u pezullua nga detyra me vendim të Gjykatës së Posaçme pasi dyshohet nga SPAK se është përfshirë në korrupsion. Llaho mori drejtimin e kësaj prokurorie në janar të 2023 dhe një vit më vonë, në muajt e fundit të 2024, u bë subjekt i një hetimi penal të Prokurorisë së Posaçme.
Me anë të një njoftimi zyrtar, SPAK sqaroi se në 6 janar të këtij viti kishte vënë nën hetim kreun e Prokurorisë së Sarandës për abuzime me detyrën.
“Personi nën hetim, magjistrati, Kledian Llaho dyshohet se ka kryer veprime me natyrë korruptive, duke kërkuar përftime të parregullta materiale, nga të cilat do të përfitonte në mënyrë të drejtpërdrejtë vjehrri i tij, shtetasi. V.GJ, si dhe ka dyshime për veprime të kundërligjshme edhe në raport me persona të tjerë”, thotë Prokuroria e Posaçme.
Nga ana tjetër, në ngarkim të Llahos është edhe një hetim administrative i nisur nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, ku kërkon uljen e pagës së tij për një vit në masën 40%. Sipas ILD-së, Kledian Llaho ka zvarritur veprimet hetimore në një çështje dhe nuk ka zbatuar detyrat e lëna nga gjykata duke kryer shkelje të rëndë.
Ai mohoi këtë të enjte para KLP të ketë kryer shkelje, teksa qeveria e gjyqësorit do të dal me një vendim në 29 janar për çështjen administrative në ngarkim të tij.
Tv Klan