Policia ndalon njërin prej autorëve të ngjarjes

Një 32-vjeçar u plagos me armë pas një konflikti që ndodhi mbrëmjen e kësaj të shtune në kryeqytet.

Ngjarja ndodhi rreth orës 19:00 në zonën e njohur si “Pallatet Agimi” shumë pranë qendrës së Tiranës në një zonë mjaft të populluar.

I plagosuri është 32-vjeçari Ilir Shkurti i cili u paraqit vetë në Spitalin e Traumës. Ai mori një plumb në këmbë dhe mjekët thonë se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia tha se gjithçka kishte ndodhur për shkak të një konflikti të çastit. Në vendin e ngjarjes shkuan forca të shumta të policisë që bënë të mundur ndalimin e makinës me të cilën u larguan autorët.

Në pranga u vendos 38-vjeçari Kridens Meçollari ndërsa po punohet për kapjen e një tjetër personi të përfshirë në ngjarje.

Është ende i paqartë motivi i përplasjes. Efektivët e policisë dhe një grup hetuesish kanë marrë dëshmitë dhe pamjet e kamerave të sigurisë për të hedhur më shumë dritë mbi atë që ka ndodhur. 

Tv Klan