Një person raportohet se ka mbetur i plagosur më armë zjarri pasditen e kësaj të hëne në Shkodër. Gazetarja e Klan News, Emi Kalaja thotë se i plagosur nga kjo ngjarje ka mbetur, ish-kryetari i komunës Velipojë, Pashko Ujka. Ngjarja ndodhi rreth orës 18:15, në lagjen “Vasil Shanto”, në rrethana ende të paqarta.
“Rreth orës 18:15, në lagjen “Vasil Shanto” Shkodër, në rrethana ende të paqarta është plagosur me armë zjarri shtetasi P. U., 64 vjeç, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë dhe vijon krehja e zonës me qëllim kapjen e autorit. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për sqarimin e rrethanave dhe zbardhjen e ngjarjes“, tha policia në një informacion paraprak për mediat.
64-vjeçari mësohet se ka mbetur i plagosur në shtyllën kurrizore dhe ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Pashko Ujka ka qenë kryetar i Komunës së Velipojës nga viti 2011 deri në 2015, ndërsa po ashtu ka qenë edhe deputet në radhët e PDK (gjatë viteve 2005-2009). /tvklan.al