Një i ri, i dyshuar si autor i një plagosjeje të dyfishtë, është vënë në pranga nga autoritetet policore në Krujë. Bëhet fjalë për një 26-vjeçar, i cili në Maj të këtij viti plagosi me thikë dy persona. Ngjarja në fjalë ndodhi në Fushë-Krujë dhe sipas policisë, pas saj fshiheshin motivet e dobëta.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, ndaluan shtetasin B. X., 26 vjeç, banues në fshatin Nuaj, Krujë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Krujë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”. Ky shtetas, më datë 21.05.2020, në Fushë Krujë, ka plagosur me mjet prerës (thikë), për motive të dobëta, shtetasit S. T. dhe E. Gj”, thotë policia në një njoftim për mediat./tvklan.al