Ndërsa liderët botërorë ranë dakord për masat e koordinuara dhe unanime për daljen nga kriza financiare, Bashkimi Evropian po shqyrton edhe një tjetër çështje tepër të rëndësishme për kontinentin, varësia energjetike nga Rusia.
Përqendrimi në këtë pikë të dobët vjen si pasojë e rritjes së paqëndrueshmërisë politike dhe ekonomike.
Një propozim i liderëve evropian synon të zmbrapsë tendencat aktuale të furnizimit të tregut me energjinë ruse dhe krijimin e një infrastrukture të re që do të mundësonte importimin e drejtpërdrejtë të gazit dhe naftës direkt nga Kaspiku pa kaluar përmes Rusisë, kjo falë edhe burimeve nga Lindja e Mesme.
Ndërtimi i këtij korridori të ri energjetik është tashmë zyrtarisht prioriteti kryesor i Bashkimit Evropian.
Jose Manuel Barroso, kreu i Komisionit Evropian, duke folur për planin sqaroi se aktualisht BE importon 55% të naftës dhe gazit që përdor, por kjo sasi do të arrijë në nivelet e 70% në vitin 2020.
Një e treta e kësaj merret nga Rusia. Kjo çështje po ndikon ndjeshëm në zgjedhjet politike të një numri të madh të vendeve anëtare të BE-së, ndërsa vende të tjera mbeten të dobëta përballë mundësive për manipulime nga Rusia, duke përdorur fuqinë energjetike.
Tetë vende, Estonia, Letonia, Lituania, Bulgaria, Sllovakia, Irlanda Suedia dhe Finlanda janë komplet të varura nga Rusia për energji.
Importi energjetik i kushton Bashkimit Evropian 293 miliard paund në vit, një pjesë të madhe e së cilës shkon direkt në llogaritë bankare të Moskës./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle