Plazhi me ujin më blu në botë ndodhet në Shqipëri. Revista e njohur Travel+Leisure ka publikuar një studim të agjencisë turistike britanike CV Villas, ku rezulton se, Plazhi i Pasqyrave në Sarandë, ka ujin me ngjyrën më të theksuar blu ndër 200 plazhe në botë. Lajmi është publikuar nga kryeministri Rama.
Nuanca e tij blu ndryshon nga nuanca YInMn Blu me vetëm 12.4 pikë. Vendi i dytë dhe i tretë i takuan dy plazheve greke.
Duke shënuar vetëm 13.6 pikë larg nga nuanca më e theksuar, Paralia Buka në Peloponez u emërua plazhi që shfaq blunë e dytë më të kaltër në botë, ndërsa Kassiopi i Korfuzit i treti me një diferencë pak më të lartë prej 14.1 pikë nga e njëjta nuancë.
Për të arritur në këtë renditje ekipi i studimor përdori imazhet satelitore të këtyre plazheve. Studiuesit pasi evidentuan kodin RGB të ngjyrave që kishte çdo plazh, e krahasuan atë me kodin e nuancës më blu në botë.
Në përfundim të gjithë këtij procesi u krijua edhe renditja e plazheve me ngjyrën më të theksuar blu, ku listën e kryeson plazhi shqiptar i Pasqyrave. Sipas CV Villas, shtatë ndër 30 vendet kryesore për ujërat më blu në botë i përkisnin Greqisë.
“Morali i kësaj historie”, përfundon revista, “është se nëse dëshironi të shihni disa ujëra vërtet të kaltër, rezervoni sa më parë një fluturim për në Shqipëri dhe në Greqi”.
Plazhi i Pasqyrave, që ndodhet në bregdetin midis Sarandës dhe Ksamilit prej kohësh është një nga destinacionet më të vizituara nga turistët e huaj.
Klan News