Rrëfimi i Xhulietës në “Ka Një Mesazh Për Ty” nis në Vlorë ku ajo u lind në vitin 1977. Gjatë rritjes, ëndrrat e saj lidheshin me artin, me të bukurën por u detyrua të ndiqte një shkollë profesionale ku u diplomua si elektriciste. Vitet më të vështira që ajo kujton ishin vitet e luftës.
Shtëpia e Xhulietës ndodhej në lagjen e Çoles ku pranë kishin familjet e bandave. Të gjithë ndiheshin të frikësuar dhe të kërcënuar, por në mendjen e saj janë ngulitur disa momente shumë tronditëse që i rrëfen në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan.
Xhulieta: Kur ne do shkonim në shkollë sepse na thoshin që nëse nuk do shkosh nuk ta japim vitin dhe unë isha në përfundim të vitit të katërt, u desh që të merrja dhe mtorën më të vogël që e kisha në atë shkollë dhe këto bandat shkëmbehen me njëra-tjetrën dhe na vijnë gëzhojat përpara, shtrihemi përtokë dhe ku të kërkosh ndihmën, veç Zotin ke lart, po shpëtove, shpëtove. Por edhe pse me ato pengesa, ne shkuam prapë në shkollë. Por edhe kur shkuam në shkollë, ata hynë në katin e parë, përplasen me njëri-tjetrin por prapë këto gëzojat vijnë lart sado që isha në katin e katërt, përplasen në dërrasë dhe ne si nxënës shkojmë poshtë bankave të shkollës dhe dalim lart nëpër korridore. Skena e dytë që ka qenë ajo që kam patur edhe më vonë, në gjumë trembesha, kur u rrethua pallati me disa kamionë të hapur që ishte plot me bomba dhe ishin këta çunat e bandave të zhveshur gjysmë, me ato vargjet e plumbave, me armë dhe u ngjitën mbi pallatin tonë. Kishin një mitraloz shumë të madh, me dy, me tre këmbë dhe tronditej pallati kaq shumë saqë mori krisje, xhamat u thyen.
Ardit Gjebrea: Dhe ju ishit në shtëpi.
Xhulieta: Unë isha me mamin, me babin dhe dy motrat më të vogla.
Ardit Gjebrea: Ndërkohë që kishe edhe një vëlla.
Xhulieta: Nuk ishte aty për faktin sepse ishte larguar nga ajo lagje për faktin se këto bandat i detyronin çunat, i merrnin edhe me zor.
Ardit Gjebrea: Ndërkohë atëherë pothuajse çdo familje mbante armë në shtëpi, flasim në ato zona që ishin shumë të ndjeshme. Ju kishit?
Xhulieta: Po, mua ma ka sjellë në fakt vëllai, ma ka mësuar sesi shkrepet, si mbushet. Herën e parë rashë mbrapa, nuk e dija sepse ajo të shtyn mbrapa.
Ardit Gjebrea: Kur qëllove?
Xhulieta: Po, në ballkon, në ajër për të mësuar që nëse dikush do vinte, të hynte në shtëpi, t’u bënte dëm motrave, prindërve unë isha ajo më e madhja edhe pse ishte babi normale, më e madhja që të mbronte ato më të voglat. Dhe e kam mësuar aty sesi mbushet një armë, si qëllohet. Ai ma mësoi dhe pastaj u largua me urdhër të babit se aty ishte e rrezikshme. Dy vëllezërit e tjerë tashmë ishin larguar në Itali./tvklan.al