Programi “Rudina” në Tv Klan i është kushtuar sot Ditës së Shën Valentinit për të festuar dashurinë  përmes tri historive në studio.

Çifti i parë që vjen për të ndarë rrëfimin  e tyre janë mjekët Marsida  Duli dhe Qamil Dika. Ata janë njohur në fakultet, siç rrëfen dr. Qamili dhe më pas Marsida ishte shefja e tij. Tek ajo ai shprehet se  shihte vajzën e ëndrrave të tij, por rrugëtimin për t’ia marrë zemrën, s’e ka pasur aspak të lehtë.

Qamil Dika: Ka qenë rrugëtim jo i lehtë për hir  të së vërtetës, bindja e saj e krijuar deshi pak kohë dhe në këtë aspekt, ka qenë një vështirësi e bukur për ta fituar zemrën e saj dhe unë  jam shumë i lumtur që sot  e kam përkrah shoqen time të jetës me të cilën kemi përballuar disa sfida të vështira dhe kemi krijuar një familje të mrekullueshme, kurorëzimi i së cilës janë dy djemtë tanë të mrekullueshëm.

Rudina Magjistari: Marsida, pse ke hezituar, pse të është dashur kaq shumë kohë për të vendosur për dashurinë tënde të jetës?

Marsida Duli: Në fakt, për çdo gocë është shumë e vështirë për të përcaktuar shokun e jetës, partnerin, bashkëshortin. Secila nga ne kemi ato idealet, kemi ato imazhet që ndonjëherë duan të na ngjasojnë edhe me prindin mashkull duke pasur imazhin e babait, familjarit të shkëlqyer, intelektualit të jashtëzakonshëm, mjekut të përkushtuar, por insistimi i Qamilit ishte një gjë e jashtëzakonshme të them të drejtën sepse pavarësisht hezitimit të fillimit, emocioneve, ndonjëherë nuk do t’i pranosh sepse kur je në njëfarë moshe mendon që duhet t’i peshoj gjërat, duhet t’i vlerësoj jo vetëm me emocione, por  ndonjëherë edhe emocionet në rastin konkret nuk më zhgënjyen.

Përgjatë zhvillimit të lidhjes së tyre, Marsida u bind se Qamili ishte njeriu i duhur për të. Ndërkohë ky i fundit ishte impresionuar nga karakteri, thjeshtësia, energjia e pozitiviteti  i saj, por atë “po”-në e ka  marrë me shumë vështirësi, me një puthje të rrëmbyer shkarazi.

Qamil Dika: Nuk ka qenë një çast i mëvetësishëm që Marsida  vendosi, por ka qenë një proces i vështirë deri në shkëputjen…

Rudina Magjistari: Atëherë po e bëj pyetjen ndryshe: momenti kur jeni puthur për herë të parë?

Qamil Dika: Ne jemi puthur për herë të parë në një moment shumë të bukur do të thosha pasi pas këmbënguljeve të vazhdueshme të miat në krijimin e momenteve dhe ambienteve pozitive që të ndodhte ky proces, ajo më së fundi ma mundësoi këtë ndjesi e cila ishte  padiskutim një mrekulli dhe një moment shumë i lumtur në jetën time.

Rudina Magjistari: Ku keni qenë në atë moment?

Qamil Dika: Në një lokal, kanë qenë orë shumë të vona, në një ambient shoqëror kemi qenë, pas një tavoline shumë të gjatë dhe ambiente pozitive, më në fund arrita ta shkëpus atë puthjen shkarazi,  realisht e ëndërruar./tvklan.al