Emrat më të njohur të penelit shqiptar kanë prezantuar punët e tyre të zgjedhura , në një ekspozitë të hapur në qytetin e Pogradecit të emëruar “Ditë Dimri”.
Peizazhet mahnitëse të Abdurrahim Buzës, Sadik Kacelit, krijimet e ngrohta dhe plot jetë të Kujtim Buzës dhe Buron Kacelit, u ndërthurën në mënyrë harmonike me krijimet shprehëse të piktorëve të tjerë. Risia e këtij aktiviteti, hapja e një galerie private që synon ta kthejë Pogradecin në një qendër të rëndësishme të artit figurativ.
Vangjo Vasili: “Në këto rrethana sigurisht që lind ndonjë risi e re. Kjo ekspozitë nuk është vetëm kaq, është momenti i çeljes së një galerie private dhe ky është një nder që i bëhet qytetit nga kjo nismë sepse i jep qytetit një galeri tjetër, i jep një institucion artistik tjetër.”
Buron Kaceli: “Jemi shumë të kënaqur, jo thjesht për pritjen, por edhe për një ide dhe një realizim të ri që do të jetë një vlerë e shtuar e Pogradecit, galeri e re private që do të hapet së shpejti.”
Ekspozita do të vazhdojë të qëndrojë e hapur për një javë dhe gjatë këtyre ditëve piktorët do të vazhdojnë të krijojnë në Pogradec dhe rrethinat e tij./tvklan.al
Gazetare: Irma Toptani