Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Pagat e buxhetorëve do të bazohen tek hierarkia dhe do të përcaktohen nga Kuvendi. Kryetari i komisionit parlamentar të Ekonomisë Ylli Bufi, ka deklaruar se buxhetin e vitit të ardhshëm të gjithë pagat e buxhetorëve do të përcaktohen nga i njëjti ligj.

Ylli Bufi: “Pagat në administratën shtetërore të rregullohen në bazë të ligjit përkatës të pagave të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë, jo në bazë të ligjeve të veçanta të institucioneve, si Entet Rregullatore, Avokati i Popullit, siç është sistemi gjyqësor, etj. ”

Një nismë e tillë vjen si rezultat i polemikave për kompetenca në rritje në lidhje me pagat të disa institucioneve të pavarura. Këto lloj institucionesh caktojnë vetë pagat, të cilat sipas pretendimeve kanë kapërcyer pagat e ministrave, duke cenuar hierarkinë. Motiv që këto institucione kanë përfituar paga më të larta, sipas ligjit, ka qenë mundësia për të qenë vërtetë të pavarura.

Ankesa në lidhje me kostot e larta për pagat, ka paraqitur dhe Ministri i Financave Arben Malaj, i cili disa ditë më parë u ka dërguar një letër publike institucioneve më të larta të shtetit në lidhje me këtë çështje./tvklan.al