Botërori nuk kishte se si të kalonte pa polemika. VAR është duke mënjanuar shumë debatet, por gjithnjë ka vend për pakënaqësi. Më shije të hidhur dolën nga fusha edhe marokenët, të cilët bënë një superndeshje ndaj Portugalisë, por nuk patën fat të barazonin golin e Ronaldos që në minutën e 4. Mungesën e suksesit, futbollistët marokenë ia faturojnë edhe arbitrit të ndeshjes amerikan Mark Geiger.
“Unë nuk e di se me çfarë është mësuar ai, por ishte shumë i impresionuar nga Kristiano Ronaldo dhe dëgjova nga Pepe se i kërkoi në përfundim të pjesës së parë nëse mund t’i jepte fanellën. Për çfarë po flasim këtu? Jemi në Kupën e Botës, jo në cirk”, tha Nouredin Amrabat.
Por kjo nuk është hera e parë që arbitri Geiger drejton ndeshje ku luan Ronaldo dhe Portugalia dhe nuk është se ka qenë fort dashamirës me ta. Teknologjia gjithsesi nuk po i ndalon polemikat. E në fund të fundit kampionati s’ka kuptim pa to.
Tv Klan