Albano Rustemi, efektivi i policisë i cili u vu në pranga pasditen e të hënës nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, rezulton i përfshirë në një grup kriminal, i cili ka për aktivitet shitjen e lëndëve narkotike, në zonën e jugut. Rustemi në momentin e arrestimit po ushtronte detyrën në policinë e Dibrës, por më herët ka shërbyer edhe në qarkun e Gjirokastrës.
Nga hetimet e AMP rezulton se Rustemi prej disa kohësh ishte një nga organizatorët e shitjes dhe shpërndarjes së kanabisit në qytetin e Gjirokastrës, por edhe në zona të tjera të këtij qarku. Rustemi dyshohet se i jepte informacione grupit kriminal ku bënte pjesë duke dekonspiruar operacionet policore. Në këmbim sipas burimeve të AMP ai merrte shuma të mëdha parash, vlerat monetaret ishin në bazë të sasisë së kanabisit që shitej.
Një tjetër dyshim i AMP është dhe përfshirja e tij në aktivitetin e jashtëligjshëm të kalimit të emigrantëve nga vendet e lindjes, apo dhe kontrabanda e mallrave. Hetimet vijojnë për identifikimin e anëtarëve të tjerë të grupit kriminal pasi ka dyshime që kishte bashkëpunëtorë edhe me kolegë të tjerë efektivë policie.
Klan News