Nëse do të votohet për të ardhur në pushtet, opozita do e nisë punën për rendin dhe sigurinë me pastrimin e Policisë nga punonjësit e lidhur me krimin. Kështu tha kryedemokrati Sali Berisha gjatë prezantimit të kësaj platforme.

“Një nga emergjencat e mëdha është gjendja e Policisë së Shtetit, të përbërë nga individë të përfshirë në kultivimin, trafikun e drogave, ndihmën ndaj trafikantëve. Jam këtu për të garantuar se të gjithë ata individë të përfshirë në veprimtari të tilla do largohen nga Policia dhe do përballen me ligjin”, deklaroi kreu i PD.

Berisha thotë se me ardhjen e socialistëve në pushtet, Policia është kriminalizuar.

“Vitet 14-24 ishin dhjetëvjeçar i zi për Policinë e Shtetit, 10-vjeçar në të cilin shteti dhe krimi, u shkrinë në një sipërmarrje të përbashkët”, u shpreh Berisha.

Paralelisht me pastrimin e radhëve të Policisë nga të inkrimunuarit, PD në programin e vet parashikon edhe goditjen e të gjitha grupeve kriminale brenda 16 mujave të parë të qeverisjes.

“Ne u shpallim luftë atyre dhe i garantoj se nuk do të ketë paqe me ata deri në vendosjen e tyre para ligjit. Le të shkojnë ku të dojnë, në Dubai apo në Zelandën e Re. Beteja ndaj tyre duhet të jetë përparësi absolute”, deklaroi Berisha.

Ndërsa thotë se do sigurohet që të zbardhë çdo dosje, përfshirë ato të quajtuara “Metamorfoza”. Berisha premton edhe paga dhe trajtim më dinjitoz për punonjësit e rendit.

“Ju garantoj se diferenca e rrogave midis drejtuesve dhe inspektorëve do të ngushtohet. Pagat e punonjësve të Policisë do të rriten me 20%”, u shpreh kryedemokrati.

Po ashtu premton rritje të dietave nga 55 në 80 Euro.

Tv Klan